Gjykata Administrative më 3 qershor të këtij viti refuzoi padinë e Komunës së Tuzit, duke theksuar që Ministria e Kulturës ka vendosur drejtë kur e refuzoi kërkesën për dhënien e pëlqimit për vendosjen e monumentit. Monumenti i Ded Gjo Lulit u vendos në vitin 2019 para shtëpisë së tij të lindjes në fshatin Bardhaj.
- Nga dokumentet e lëndës vërtetohet padyshim që me vendimin e kontestuar është refuzuar kërkesa e kryetarit të Komunës së Tuzit për dhënien e pëlqimit për propozimin e vendosjes së monumenteve në Komunën e Tuzit për vitin 2019 me të cilin është paraparë vendosja e monumentit të D.GJ.L. Në arsyetim është thënë se Komisioni për Monumente i Ministrisë së Kulturës ka konstatuar se propozimi për vendosjes e monumenteve s'i plotëson kushtet e përcaktuara me Ligjin për Monumente, për arsye se s'është në përputhje me dispozitat e nenit 10. Komisioni për Monumente i Ministrisë së Kulturës, në bazë të burimeve historike relevante, gjeti se gjatë Luftës së Parë Botërore D.GJ.L. bashkekzistoi me përfaqësuesit e pushtetit austro-hungarez dhe veproi kundër fuqive aleate ndër të cilat ishte edhe Mali i Zi. Në arsyetimin e vendimit të kontestuar është shkruar se Drejtoria për Punë Inspektuese ka kryer kontrollin inspektues më 3.09.2019 dhe vërtetoi se objekti është vendosur pa pëlqimin e organit kompetent dhe pa dijen e organeve të administratës lokale, që i njëjti u ndërtua në pronën private, në vendin Bardhaj, si dhe që duhet të largohet në afatin 15-ditor nga dita e pranimit të procesverbalit – shkruan në aktgjykimin e Gjykatës Administrative.
Në kërkesën për rishqyrtimin e jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor Angjell Gojçaj thotë se nga aktgjykimi i Gjykatës Administrative dhe nga vendimi i kundërshtuar i Ministrisë së Kulturës, s'mund të konkludohet mbi bazat e ç 'kritereve ligjore është vendosur, si dhe që aktgjykimi është i paqartë dhe kontradiktor.
- Gjykata Administrative në mënyrë të gabuar e zbatoi të drejtën materiale dhe në mënyrë të gabuar dhe të paplotë e përcaktoi gjendjen faktike përkundër provave të qarta të cilat i janë dorëzuar të paditurit. Po ashtu, gjykata s'e morri parasysh që paditësit paraprakisht iu privua e drejta për deklarim në procesin provues u shkel obligimi ligjor, që para sjelljes së vendimit Ministria e Kulturës si organ juridik publik të njoftojë palën mbi rezultatet e procesit provues. Mbetet e paqartë se pse Gjykata Administrative s'e vërejti këtë lëshim të organit të shkallës së parë me të cilin u shkelën të drejtat themelore procedurale të paditësit, respektivisht të palës në procesin e shkallës së parë. Arsyetimi i aktgjykimit është i paqartë dhe kundërthënës me provat mbi të cilat është bazuar, askund nuk ekziston arsyetimi se si dhe në çfarë mënyrë është kryer vlerësimi i provave mbi bazat e të cilave është sjell vendimi meqë para sjelljes së vendimit organi juridik publik i shkallës së parë s'e njoftoi palën mbi rezultatet e procesit provues – thuhet në dokumentin e Gojçajt.
Ai shton se as arsyetimi i vendimit dhe as ai i aktgjykimit nuk shpjegojnë se cilët janë ato burime relevante historike mbi të cilat bazohet komisioni dhe Gjykata Administrative dhe të cilët vërtetojnë se Ded Gjo Luli ka bashkekzistuar me përfaqësuesit e pushtetit austro-hungarez.