/ DAN
21/02/2022 u 15:26 h
ДАН порталДАН портал
Preuzmite našu aplikaciju
Pratite nas na
Pridružite nam se na viber community
StoryEditor

Kërkojnë hangar të vendosin gomat nga Malësia

Do të provojmë t‘i dislokojmë të paktën gomat nga Cemi. Megjithëse, kudo që t‘i zhvendosim kemi frikë se dikush do t‘i djeg dhe do të krijojë dëm edhe më të madh, thotë Ismeta Gjokaj

Komuna e Tuzit do të tentojë të gjejë lokacionin në të cilin do të magazinohen gomat në mënyrë që ato mos të hidhen më në Cem dhe në hapësirat publike. Kjo është dakorsuar në mbledhjen në të cilën ishin të pranishëm përfaqësuesit e Komunës së Tuzit, Drejtorisë për Inspektoratin Ekologjik dhe Drejtorisë së Policisë.

- Problemi i deponimit dhe djegies së gomave është i madh jo vetëm në Tuz. Gomat më së shumti deponohen në afërsi të Deponisë dhe në vendet përreth. Nga Inspektorati Ekologjik kanë propozuar që të gjendet zgjidhja e përkohshme, respektivisht vendi për deponimin e këtyre mbeturinave dhe të pritet zgjidhja e problemit në nivelin shtetëror. Nevojitet që Policia Komunale dhe Inspektorati të kalojnë më shumë kohë në terren dhe të dënojnë autorët nëse i kapin në vendngjarje. Lokacioni do të zgjidhet në mënyrë që mos të dëmtojë mjedisin jetësorë dhe të jetë në territorin e Komunës së Tuzit – thotë Haris Ramoviq, nënkryetari i Komunës së Tuzit.

Inspektorja ekologjike, Vesna Zarubica thotë se gomat janë problem i shtetit, e jo vetëm i Komunës së Tuzit. Ajo thekson se në Tuz ekzistojnë disa lokacione të gomave që mund të jenë në shënjestër për djegie.

- Kemi biseduar për vendin se ku mund të vendosen gomat. Është me rëndësi të jetë vend i mbyllur, ose që në afërsi të ketë roje. Thanë se do të përpiqen që të gjejnë lokacionin. Do të shohin edhe me Kryeqytetin nëse ato kanë ndonjë hangar – thotë Zarubica.

Sekretarja për bujqësi dhe zhvillim rural në Komunën e Tuzit, Ismeta Gjokaj thotë se në afërsi të Deponisë ky problem është i theksuar më shumë.

- Është pritur qendra ricikluese në "Livade". Duhet të ishte nisur, nuk ndodhi, as nuk dihet kur do të nisë. Do të provojmë t‘i dislokojmë të paktën gomat nga Cemi. Megjithëse, kudo që t‘i zhvendosim kemi frikë se dikush do t‘i djeg dhe do të krijojë dëm edhe më të madh. Nga Ministria e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit kanë thënë se do të kenë takim me Kryeqytetin dhe të dakorsohen që më në fund të pajiset qendra ricikluese. Kemi dakorsuar me gomistët të shohim se cilët janë problemet e tyre dhe çfarë propozojnë. Çdo gjë ecën me zor meqë problemi nuk është zgjidhur në nivelin shtetëror. Kur frynë era veriore, e gomat digjen tek Deponia, tymi shkon kah Mileshi dhe Rakiqi, ndërsa kur frynë era jugore atëherë në Dinoshë dhe Omerbozhaj. Nuk mund t‘i themi gomistit të ketë kujdes ku i deponon gomat se atëherë do të na pyesë e ku duhet, dhe çfarë t‘i themi ne, kur në nivelin shtetëror nuk është zgjidhur problemi i deponimit të këtyre mbeturinave të rrezikshme – thotë Gjokaj.

Mirsad Orahovac, administruesi i sektorit për veprimtaritë komunale në Ndërmarrjen Komunale, thotë se problemi i magazinimit të gomave është i madh dhe se janë në fazën e kërkimit të lokacionit.

- Po kërkojmë zgjidhjen e përkohshme për deponimin e gomave, për shembull ndonjë hangar ku do t‘i deponojmë këto mbeturina në territorin e Komunës tonë. Marrëveshja është që të kontaktojmë me serviset që punojnë me goma dhe të na njoftojnë në mënyrë që bashkërisht t‘i deponojmë – thotë Orahovac.

Shefi i Policisë dhe Inspektoratit Komunal, Rexhep Çunmulaj thekson se janë dakorsuar me policinë që të tentojnë të parandalojnë kamionët që sjellin gomat.

- Ky problem nuk mund të zgjidhet në mënyrë të përhershme pa e caktuar lokacionin vetëm për goma dhe ato t‘i jepen dikujt për riciklim. Ato shkarkohen në hapësirat publike tash 30 vjet, ndërsa gjoba e paraparë është 100 euro dhe ajo patjetër është e ulët – thotë Çunmulaj.

Pratite nas na
Pridružite nam se na viber community
09. avgust 2022 14:18