Urrela rrjedh nëpër qendrën e Tuzit / RIJEKA RUJELA, IZVORISTE RUJELE, RUJELA, TOK RUJELE, IZVOR RUJELE-IVAN PETROVIC-IPE
02/02/2022 u 16:35 h
Andrijana DabanovićAndrijana Dabanović
Preuzmite našu aplikaciju
Pratite nas na
Pridružite nam se na viber community
Pratite nas
i na telegram kanalu
StoryEditor

Nëpër Urrelë rrjedhin ujërat e zeza dhe mbeturinat

Kur flasim për ndotjen e lumit, një nga problemet është mungesa e rrjetit të kanalizimit në territorin e Komunës së Tuzit, ndërsa ndërtimi i shtëpive është intensiv. Në brigjet e Rujelës ekzistojnë edhe stallat

Në anketën "Urrela – oazë natyrore apo deponi?", që realizoi "Dan-i", morën pjesë më shumë femra sesa meshkuj, respektivisht 73.3 për qind e tyre treguan interesim për këtë problem ekologjik. Brengos e dhëna që 86.7 për qind e pjesëmarrësve në anketë mendojnë që në vetëqeverisjen vendore të Komunës së Tuzit dhe në organet e nivelit shtetëror të punësuarit që kanë në kompetencën e tyre mbrojtjen e mjedisit jetësor nuk merren me mbrojtjen sistematike të Urrelës. Shtrati i lumit Urrela në qendrën e Tuzit është pasqyrë e vetëdijes ekologjike, kurse me tërheqjen e ujit gjatë muajve të verës del në pah pakujdesi i banorëve kur shfaqen sasi të stërmëdha të mbeturinave të cilat qytetarët e pandërgjegjshëm i hedhin përgjatë tërë shtratit, kryesisht gjatë periudhës së dimrit, kur niveli i ujit është më i lartë. Grykëderdhja e lumit Urrela lëviz gjatë stinës së dimrit për shkak të nivelit të lartë të liqenit të Shkodrës. Shpesh del nga shtrati, përmbyt dhe prish tokën bujqësore, kullotat dhe dëmton të mbjellat e popullsisë lokale. Urrela buron në rrëzën e malit të Deçiqit në Milesh, rrjedh nëpër të gjitha bashkësitë lokale fushore të Komunës së Tuzit dhe mu nëpër qendrën e Tuzit, ku ndahet në dy degë dhe vazhdon në drejtimin e Vuksanlekajve, Nënhelmit, Sukruqit dhe Kodërbudanit, ku derdhet në Liqenin e Shkodrës. Kjo oazë natyrore duket se është lënë padrejtësisht pas dore.

Gjysma e numrit të përgjithshëm të pjesëmarrësve në anketë mendojnë se ekologët merren pak me Urrelën, kurse 26.7 për qind e tyre pohojnë se aspak nuk merren me këtë lum sepse aksionet ekologjike janë ose të rralla ose nuk janë bërë asnjëherë, ndërsa edukimi për këtë çështje mungoi. Për aktivitetet e ekologëve në Urrelë, 23.3 për qind nuk kishin dijeni. Sipas analizës së anketës sonë, kjo çështje ekologjike i ka interesuar më shumë qytetarëve dhe qytetareve të moshës nga 18 deri në 44 vjeç, të cilët bëjnë 60 për qind të të anketuarve. Digat për mbeturina, barrierat e ndërtuara enkas, mund të ndihmojnë që Urrela të mbetet lum i pastër, mendojnë gjashtëdhjetë për qind e pjesëmarrësve në anketë, mirëpo ka edhe nga ato që mendojnë se kjo nuk është një zgjidhje e duhur.

- Barrierat e tilla duhet doemos të vendosen në disa qindra metra të rrjedhës së lumit nëpër vendbanime. Gjithsesi në hyrjen e Tuzit dhe në qendrën e Tuzit dhe në Vuksanlekaj – thonë pjesëmarrësit në anketë.

Disa qytetare dhe qytetarë mendojnë se lokacionet për diga duhet t'i caktojnë organet kompetente.

- Digat për mbeturina janë një zgjidhje... Mirëpo, zgjidhja më e mirë për lumin është NDALIMI I HEDHJES SË MBETURINAVE NË TE – thotë njëra nga pjesëmarrëset e anketës.

Po ashtu, disa janë kategorik dhe pohojnë se nuk ka nevojë të vendosen digat "sepse ato nuk do ta zgjidhin problemin", për të cilin fajtorë janë banorët vendas që hedhin mbeturinat në lum. Shtrati është i tejmbushur me mbeturina të ndryshme komunale, plastikë, goma veturash... Nga një mjedis i tillë shkarkohen erëra të pakëndshme, kurse insektet shumohen. Ka nga to që mendojnë "për këtë temë duhet të flasin ato që marrin pagën të kujdesen për lumenjtë". Kur flasim për ndotjen e lumit, një nga problemet është mungesa e rrjetit të kanalizimit në territorin e Komunës së Tuzit, ndërsa ndërtimi i shtëpive është intensiv. Në brigjet e Urrelës ekzistojnë edhe stallat. Në vend të oazës natyrore, Urrela nga pakujdesi është bërë deponi e lëvizshme.

- I tërë Mali i Zi ka probleme serioze me ujërat e zeza dhe mungesën serioze të sistemit për pastrimin e ujërave të zeza. Në komunat e rralla kjo çështje është zgjidhur dhe është funksionale – thotë njëri nga pjesëmarrësit/et e anketës.

Qytetarët dhe qytetaret thonë se rrjeti i kanalizimit është i nevojshëm në të gjitha vendbanimet sepse e tërë Komuna e Tuzit shtrihet mbi gropat septike.

Të vendosen kontejnerët për selektimin e mbeturinave

Fjala e popullit:

- Mungesa e kontejnerëve është gjithmonë problem kyç. Duhet të vendosen kontejnerët për selektimin e mbeturinave dhe të ndërtohen oborret ricikluese; – Mungesa e kontejnerëve ndikon deri diku në higjienën e shtratit të lumit, por në masë të madhe bëhet fjalë për vetitë e këqija dhe pakujdesin e qytetarëve që hedhin mbeturinat në të gjitha anët, pra edhe në lum; – Mungesa e kontejnerëve dhe zbrazja e parregullt e tyre ndikojnë në masë të madhe në krijimin e deponive të egra në shtratin e Urrelës; – Me gjasë ka ndikim të madh, mirëpo mendoj se problem më i madh është vetëdija e qytetarëve që mbeturinat nuk hidhen në lum;

- Shumë restorante i derdhin ujërat e zeza direkt në Urrelë, por edhe në Cem. Ndërtimi i rrjetit të kanalizimit nëpër vendbanimet ku rrjedh Urrela është prioritet – mendojnë ato. Në problemin e ndotjes së Urrelës ndikon edhe mungesa e kontejnerëve, vlerësojnë qytetarët. Mirëpo, disa mendojnë se "kontejnerë ka mjaftueshëm, mirëpo qytetarët janë të pandërgjegjshëm".

- Problemi është se qytetarët i shkatërrojnë kontejnerët edhe kur ato vendosen. Plus, pse është pjesë e anketës pyetja për ekologët? Pse nuk shtrohet pyetja e përgjegjësisë së qytetarëve, shtetit dhe vetëqeverisjes lokale, tatimi i paguhet shtetit dhe vetëqeverisjes lokale, jo ekologëve. Për më tepër, fajtori kryesor për këtë gjendje është vetëqeverisja lokale, në vendin e dytë janë qytetarët – thuhet në njërën nga përgjigjet e pjesëmarrësve/eve në anketë.

image

Pranë Urrelës lulëzon ndërtim

-Архива

Qytetarët vlerësojnë se banorët e Komunës së Tuzit "gjithnjë e më pak përdorin kontejnerët sepse kanë mënyrë tjetër të hedhjes së mbeturinave".

- Mbeturinat në ditët e caktuara i lënë para dere, e Komunalja vjen i merr. Ndoshta niveli i higjienës do të ishte rritur sikur të ekzistojnë një numër më i madh i kontejnerëve – vlerësuan pjesëmarrësit e anketës.

Nevojitet ngritja e vetëdijes ekologjike

Në pyetjen se çka është vendimtare për mbrojtjen e lumenjve, 83.3 për qind janë përgjigjur se nevojitet rritja e vetëdijes ekologjike tek qytetarët. Mirëpo, 16.7 për qind mendojnë se me investimin më të madh të parave ky problem mund të zgjidhet.

Edhe pse kjo anketë u kushtua mbrojtjes së Urrelës dhe trajtoi problemin ekologjik fal qytetarëve dhe qytetarëve që janë kyçur në mënyrë aktive, ka ndriçuar disa probleme infrastrukturore në komunën më të re në Mal të Zi. Besojmë se ky artikull gazetaresk, si rezultat i gazetarisë së angazhuar, do të ndikojë në rritjen e vetëdijes dhe përgjegjësisë tek qytetarët, por edhe tek vetëqeverisja lokale dhe organet kompetente që më me përkushtim të merren me zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar.


* Teksti u krijua përmes projektit "Përgjatë Malit të Zi" në kuadër të programit "Media for All", të cilin e financon Qeveria e Britanisë së Madhe, ndërsa e realizon Këshilli Britanik me organizatat partnere BIRN, INTRAC dhe Fondacionin Thomson, i cili përkrah mediat në Ballkanin Perëndimor. Përmbajtja e mbledhur dhe qëndrimet e shprehura janë përgjegjësi vetëm e autorit.

Pratite nas na
Pridružite nam se na viber community
Pratite nas
i na telegram kanalu
26. april 2024 08:16